Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 shtator 2025
Kosova dhe rajoni në fokus të Konferencës së 23-të vjetore të Ambasadorëve në Berlin
Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, mbetet një ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme gjermane – ky mesazh u theksua qartë gjatë hapjes së Konferencës së 23-të vjetore të Ambasadorëve që po mbahet këtë javë në Berlin.
Konferenca u hap me fjalimet e Kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe Ministrit të Jashtëm Johann Wadephul, të cilët riafirmuan përkushtimin e Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me një fokus të veçantë në stabilitetin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.
Ambasadori Jörn Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë diplomatikë gjermanë nga e gjithë bota, po marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për të përcaktuar drejtimet strategjike të politikës së jashtme të Gjermanisë për vitet në vijim.
Gjatë ditëve në vazhdim, diplomatët do të zhvillojnë diskutime dhe takime të nivelit të lartë për të koordinuar qëndrimet në raport me sfidat globale, por edhe për të forcuar partneritetin me vendet e rajonit të Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal.
Konferenca e Ambasadorëve në Berlin është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin diplomatik të Gjermanisë, duke shërbyer si platformë për rishikimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe përcaktimin e prioriteteve të reja në politikën e jashtme të vendit.
