Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
02 tetor 2025
Avokati Tomë Gashi, ka thënë se duhet të bëhet presion ndërkombëtarë dhe të vërtetohet pafajësia e ish-policit Arbnor Spahiu, që po mbahet në paraburgim në Serbi.
Gashi ka theksuar se rasti i ish-policit i cili akuzohet për vrasje të rëndë gjoja në shtator të 2023-ës kur edhe ndodhi sulmi terrorist serb në Zveçan, mund lehtë të vërtetohet që ai nuk ishte aty, dhe se çelësi është te ndërkombëtarët.
“Ajo çka duhet të bëjmë ne është të bëjmë presion tek organizatat ndërkombëtare që kanë të drejtë dhe kanë obligim të monitorojnë raste si te rasti i Arbnor Spahiu. Ky është i vetmi çelës që të mos përdoret nacionaliteti shqiptar për hakmarrje të institucioneve të Serbisë. Besoj që ai ka të drejtë dhe duhet të shfrytëzohet çdo mjet juridik. Në momentin që sigurohen shkresat e lëndës, mundet lehtësisht të vërtetohet që Arbnor Spahiu nuk ka qenë fare në kohën kur supozohet sipas institucioneve të Serbisë që ka vrarë polic serb”, deklaroi Gashi .
Avokati teksa flet për atë se Spahiu ishte në Gjermani, thekson se arrestimi nga Serbia ka të bëjë kryeekputë për hakmarrje.
Megjithatë thekson se ekziston një dallim i madh sepse Kosova me të drejtë arreston terroristët që udhëhiqen nga kryekrimineli Millan Radoiçiq.
“Spahiu duket se shumë vite më herët është larguar nga policia dhe ka shkuar në Gjermani për të jetuar dhe lehtësisht mund të provohet që kjo nuk është e vërtetë dhe që aty është ndalur për ta ngritur numrin e shqiptarëve të arrestuar në Serbi dhe ky është një hakmarrje për shkak se policia jonë me të drejtë arreston edhe pjesëtarë terroristë të Radoiçiqit, etj. Të gjitha këto janë të dokumentuara, në Kosovë i kemi edhe institucionet ndërkombëtare që i përcjellin dhe janë me dhjetëra organizata që kanë qasje në çdo dokument dhe mund të përcjellin secilin gjykim në territorin e Kosovës, e kundërta është në Serbi dhe mendoj që institucionet tona fare pak mund të bëjnë për shkak të raporteve që i kemi të përkeqësuar me shtetin e Serbisë, ata nuk e pranojnë që shteti i Kosovës është i pavarur dhe për këtë arsye nuk mund të ketë ndikim direkt të Kosovës tek institucionet e Serbisë, siç nuk mund të ketë anasjelltas”, theksoi ai.

















