Arsenali spektakolar në “San Siro”, mposht Interin 3-1 dhe blindon kreun e Champions League

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

21 janar 2026

Arsenali vazhdon paraqitjet perfekte në Ligën e Kampioneve, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme. Në javën e parafundit të Fazës së Ligës, skuadra londineze triumfoi 3-1 ndaj Interit në “San Siro”, duke forcuar pozitat në krye të renditjes.

Protagonisti absolut i ndeshjes ishte Gabriel Jesus, autor i dy golave për “Topçinjtë”. Braziliani hapi rezultatin që në minutën e 10-të, pasi përfitoi nga një gjuajtje e devijuar e Timber. Interi reagoi dhe barazoi shifrat me golin e Susic, por avantazhi i Arsenalit u rikthye në minutën e 31-të, kur Jesus realizoi me kokë pas një goditjeje këndi.

Në pjesën e dytë, Arsenali administroi lojën dhe vulosi fitoren në minutën e 84-t, kur Gyokeres shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë, duke dërguar topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3-1.

Me këtë sukses, Arsenali kryeson renditjen me 21 pikë të plota, ndërsa Interi, që pëson humbjen e tretë radhazi në këtë fazë, mbetet në kuotën e 12 pikëve, duke rrezikuar seriozisht një vend në Top 8, që siguron kualifikimin direkt në 1/8 e finaleve.

Në ndeshjen e fundit të Fazës së Ligës, Interi do të përballet me Borussia Dortmund, e cila vjen pas humbjes 2-0 ndaj Tottenhamit.

Scroll to Top