Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se të martën është arrestuar një i dyshuar krime lufte në Kosovë.
R.M është arrestuar në Prishtinë, dhe dyshohet se në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.
Sipas njoftimit, gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve, shkruan gazeta online Lapsi Info.
Prokuroria Speciale njofton se brenda afatit të paraparë ligjor do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mëngjesin e së martës kanë arrestuar personin me inicialet R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.
I dyshuari R.M., është arrestuar në Prishtinë.
R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.
Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.
Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special”, bëhet e ditur në njoftim.

















