Arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në Morinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Finlanda

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

08 dhjetor 2025

Një 40-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze për trafikim të lëndëve narkotike, është vënë në pranga këtë të hënë nga shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.

Policia shqiptare ka njoftuar se gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, si pjesë e operacioneve për goditjen e paligjshmërive në kufi dhe identifikimin e personave të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, policia ndaloi shtetasin: Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u konfirmua se ndaj tij ishte lëshuar një masë sigurie “Arrest në burg” nga Prokuroria e Distriktit Jugor të Helsinkit, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

40-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimi, ndërsa Interpol Tirana ka nisur procedurat për dorëzimin e tij tek autoritetet finlandeze.

Scroll to Top