Andi Tela: Ftesa e Trump për Ramën nuk është e veçantë, u është dërguar mbi 60 shteteve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 janar 2026

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”MCN TV, analisti Andi Tela ka minimizuar rëndësinë e ftesës së ish-presidentit amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama, për pjesëmarrje në një bord që do të merret me menaxhimin dhe rindërtimin e Gazës.

Sipas Telës, kjo ftesë nuk është e veçantë për Shqipërinë, pasi i njëjti tekst u është dërguar më shumë se 60 vendeve dhe liderëve të ndryshëm në botë, përfshirë edhe regjime autokratike. Ai shpjegoi se ideja e Trump lidhet me ndërtimin e një strukture “në hije” të OKB-së, që do të angazhohej në çështjen e Gazës.

Tela kritikoi mënyrën se si qeveria shqiptare e menaxhoi publikisht këtë ftesë, duke theksuar se shumë liderë botërorë nuk e kanë bërë publike një komunikim të tillë. Sipas tij, reagimi i kryeministrit Rama dhe përfshirja e figurave të larta qeveritare krijuan përshtypjen e një ngjarjeje të jashtëzakonshme, ndërkohë që realiteti ishte ndryshe.

Ai shtoi se kjo situatë u përdor për të krijuar idenë e një përmirësimi të marrëdhënieve me SHBA-në, pas perceptimeve për një ftohje gjatë kohëve të fundit. Megjithatë, Tela theksoi se çështje shumë më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë mbeten temat konkrete, si ajo e vizave për në SHBA, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë, ndryshe nga ftesa për bordin e paqes.

Scroll to Top