Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 nentor 2025
Pavarësisht se administrata Trump flet për “progres të jashtëzakonshëm” dhe vetëm “disa pika të mbetura mosmarrëveshjeje”, negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë duken shumë më komplekse. Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhanë mesazhe optimiste pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë, duke theksuar se “pikat e mbetura nuk janë të pakapërcyeshme”. Madje, gjatë një takimi të një të dërguari ushtarak amerikan me zyrtarë rusë në Abu Dhabi, u deklarua se “ukrainasit kanë rënë dakord për marrëveshjen e paqes”, me disa detaje ende të hapura.
Por një burim i lartë ukrainas, i cili foli për CNN nga Kievi, thekson se realiteti është shumë më i ndërlikuar. Sipas tij, pavarësisht se palët janë afruar në shumë nga pikat e përfshira në propozimin amerikan me 28 pika, mbeten tre çështje thelbësore ku dallimet janë të mëdha dhe mund të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje.
Pika më kritike mbetet kërkesa që Ukraina të dorëzojë territore strategjike në Donbas, zonë e aneksuar por jo tërësisht e pushtuar nga Rusia. Ndërkohë që ka pasur “disa përparime” në diskutime, burimi mohon që Ukraina të ketë pranuar ndonjë formulim përfundimtar për këtë çështje.
Çështja e dytë lidhet me kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600 mijë trupa, siç parashikohet në planin amerikan. Edhe pse po diskutohen shifra të reja, Ukraina kërkon rishikim të mëtejshëm përpara se të pranojë kufizime të tilla.
Pika e tretë dhe më e papranueshme për Kievin është heqja dorë nga aspirata për anëtarësim në NATO. Burimi e cilëson këtë kërkesë si të paarsyeshme dhe të rrezikshme, duke argumentuar se i jep Rusisë një veto ndaj një aleance ku ajo nuk bën pjesë.
Këto tre çështje—territori, kapacitetet ushtarake dhe integrimi euroatlantik—janë elementë kyç si në kërkesat e Moskës, ashtu edhe në vijat e kuqe të Ukrainës, për të cilat vendi ka paguar një kosto të lartë njerëzore.
Për këtë arsye, përkundër deklaratave optimiste të administratës Trump, negociatat nuk kufizohen në “disa pika të vogla mosmarrëveshjeje”, por përfshijnë çështje thelbësore që mund të përcaktojnë fatin e konfliktit dhe të ardhmen e vetë Ukrainës.

















