Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 nentor 2025
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, gjatë një vizite në Korçë, ka dhënë deklarata për mediat lidhur me disa çështje aktuale, përfshirë ligjin për barazinë gjinore, raportin e fundit të Komisionit Europian dhe rolin e SPAK-ut në reformën në drejtësi.
E pyetur për debatet që kanë shoqëruar ligjin për barazinë gjinore, ambasadorja Suard theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lufta kundër çdo forme diskriminimi janë vlera themelore të Bashkimit Europian dhe diplomacisë franceze.
“Të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi ndaj çdo individi dhe barazia gjinore janë në zemër të vlerave të Bashkimit Europian. Nuk ekziston një direktivë e vetme për këtë çështje, por të gjitha tekstet e BE-së mbrojnë këto parime, që janë gjithashtu thelbësore edhe për diplomacinë franceze”, u shpreh Suard.
Sa i takon raportit të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadorja e cilësoi atë si pozitiv, duke theksuar se dokumenti pasqyron progresin e dukshëm që ka bërë vendi në procesin e integrimit europian.
“Raporti i fundit ishte shumë pozitiv dhe u vlerësua nga shumë autoritete ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të BE-së dhe NATO-s. Ai reflekton progresin e paprecedentë që ka bërë Shqipëria deri më sot. Megjithatë, mbetet e rëndësishme që kjo qasje të vazhdojë, duke u fokusuar jo vetëm tek miratimi i reformave, por edhe tek zbatimi i tyre në praktikë”, tha Suard, duke shtuar se bashkëpunimi i të gjitha forcave politike është thelbësor për të avancuar më tej.
Në përfundim, ambasadorja Suard vlerësoi edhe punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të cilën e cilësoi si një arritje të rëndësishme të reformës në drejtësi.
“SPAK është rezultati më emblematik i reformës në drejtësi në Shqipëri. Ai është kthyer në një mjet të fuqishëm dhe një partner të plotë të sistemeve të drejtësisë dhe sigurisë në vendet tona. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm që tregon se reforma po jep rezultate konkrete”, përfundoi ambasadorja franceze.

















