Ambasadori Gonzato: Nuk lejojmë që politika të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë

Duke iu referuar hetimit të nisur nga SPAK për numrin dy të qeverisë, ambasadori theksoi se politika e tij është të mos komentojë çështje që janë në proces hetimi, pasi një nga parimet themelore të drejtësisë është prezumimi i pafajësisë. “Nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë përfunduar hetimet dhe procedurat gjyqësore,” u shpreh ai.

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

Në një intervistë të dhënë për moderatoren Grida Duma, ambasadori u shpreh se kontrolli dhe monitorimi që parlamenti ushtron mbi ekzekutivin mbetet i kufizuar, duke theksuar se kjo është një nga mangësitë e përmendura edhe në raportet ndërkombëtare. Ai nënvizoi se shumica parlamentare ka një hapësirë të gjerë veprimi që shpesh nuk kufizohet nga mekanizmat e kontrollit parlamentar.

Duke iu referuar hetimit të nisur nga SPAK për numrin dy të qeverisë, ambasadori theksoi se politika e tij është të mos komentojë çështje që janë në proces hetimi, pasi një nga parimet themelore të drejtësisë është prezumimi i pafajësisë. “Nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë përfunduar hetimet dhe procedurat gjyqësore,” u shpreh ai.

Megjithatë, ambasadori vuri në dukje rëndësinë që ka raportimi periodik i institucioneve të drejtësisë në parlament, si SPAK-u, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli Gjyqësor. Sipas tij, këto institucione duhet të zhvillojnë një dialog të vazhdueshëm me përfaqësuesit e zgjedhur për të diskutuar mbi punën e tyre, nevojat për burime apo ndryshime ligjore që mund të ndihmojnë në funksionimin e tyre më të mirë.

Ai shtoi se nuk e preferon termin “monitorim” për marrëdhënien mes parlamentit dhe institucioneve të pavarura, duke theksuar se më shumë sesa mbikëqyrje, duhet të ekzistojë një dialog konstruktiv midis palëve, në mënyrë që drejtësia të funksionojë në standarde të vërteta demokratike dhe evropiane.

Scroll to Top