Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
25 nentor 2025
Sipas raportit të OKB-së, pesëdhjetë mijë gra dhe vajza u vranë nga të afërmit e tyre në vitin 2024, me fjalë të tjera, një grua humbi jetën çdo dhjetë minuta, tregojnë shifrat e publikuara nga OKB-ja sot, duke denoncuar mungesën e “progresit të vërtetë” në luftën kundër femicidit.
Sipas të dhënave, 60% e këtyre vrasjeve janë kryer nga partnerë intimë ose anëtarë të familjes. Rreth 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga bashkëshorti, partneri apo një i afërm i ngushtë, çka përkthehet në 137 viktima çdo ditë – ose një çdo dhjetë minuta.
Megjithëse shifra është pak më e ulët se ajo e vitit 2023, raporti thekson se kjo nuk përfaqëson një përmirësim real, por është rezultat i ndryshimeve në mënyrën se si vendet mbledhin dhe raportojnë statistikat. Për dy agjencitë e OKB-së, niveli i femicidit mbetet praktikisht i pandryshuar, pavarësisht viteve të angazhimeve ndërkombëtare.
Raporti nënvizon se femicidi vazhdon të marrë jetë të shumta çdo vit dhe se “shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm” për shumë gra e vajza. Edhe pse ato përbëjnë vetëm 20% të viktimave të vrasjeve në rang global, 60% e vrasjeve ndaj grave kryhen në ambiente private, krahasuar me vetëm 11% te burrat.
Asnjë rajon nuk është i përjashtuar nga fenomeni, por Afrika vijon të regjistrojë numrin më të lartë të femicidit brenda familjes, me rreth 22 mijë viktima në vit.
Sarah Hendrix, drejtoreshë e politikave në UN Women, thekson se femicidi është rezultat i një zinxhiri të dhunës që shpesh nis me sjellje kontrolluese, kërcënime apo ngacmime – përfshirë ato në hapësirën dixhitale. Ajo paralajmëron se teknologjitë e reja kanë intensifikuar format e dhunës dhe kanë krijuar mënyra të reja abuzimi, si publikimi i imazheve personale pa leje apo prodhimi i videove “deepfake”.
Sipas Hendrix, dhuna online nuk mbetet vetëm në internet, por mund të çojë në pasoja të rënda në jetën reale, deri në vrasje. Ajo apelon për miratimin e ligjeve gjithëpërfshirëse që njohin të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave, si në botën fizike ashtu edhe në atë dixhitale, duke kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës përpara se dhuna të arrijë në nivel fatal.

















