Alarm demografik: Shqipëria humb mbi 18 mijë të rinj në një vit

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

04 shkurt 2026

Të dhënat më të fundit të Eurostat mbi lëvizjet demografike të popullsisë së moshës 15–29 vjeç në Europë nxjerrin në pah një situatë alarmante për Shqipërinë, e cila kryeson listën e vendeve me tkurrjen më të madhe të kësaj grupmoshe.

Sipas statistikave, në janar të vitit 2025, Shqipëria numëronte 405,832 të rinj të moshës 15–29 vjeç, rreth 18,300 më pak krahasuar me një vit më parë. Kjo përkthehet në një rënie vjetore prej 4.32%, duke e bërë vendin me ritmin më të shpejtë të tkurrjes së të rinjve në Europë.

Të dhënat tregojnë se largimi i rinisë nga Shqipëria po ndodh me një intensitet katër herë më të lartë se në Serbi, e cila renditet e dyta me një rënie prej 1.03%. Ndërkohë, shtete si Sllovakia, Austria dhe Turqia kanë regjistruar ulje minimale të popullsisë së re, nën nivelin 1%.

Ekspertët vlerësojnë se këto shifra dëshmojnë për një krizë të thellë demografike në Shqipëri, ku ritmet e tkurrjes së rinisë tejkalojnë ndjeshëm mesataren rajonale dhe europiane, duke ngritur shqetësime serioze për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Kontrasti bëhet edhe më i theksuar kur Shqipëria krahasohet me shtete që po përjetojnë rritje të ndjeshme të popullsisë së re. Ndërsa vendi ynë po humbet vazhdimisht kapitalin njerëzor, vende si Spanja, Bullgaria dhe Rumania po regjistrojnë shtim të grup-moshës 15–29 vjeç, me rritje përkatësisht prej 2.76%, 1.98% dhe 1.97%. Kjo prirje sinjalizon një orientim të të rinjve drejt tregjeve më tërheqëse të punës dhe sistemeve arsimore më konkurruese.

Në të njëjtën kohë, disa vende europiane si Zvicra, Islanda dhe shumica e shteteve të Bashkimit Europian po arrijnë të stabilizojnë ose të zgjerojnë bazën e tyre të të rinjve. Në kahun e kundërt, Shqipëria po përjeton një përshpejtim të rënies demografike, çka e bën gjithnjë e më urgjente nevojën për politika që synojnë mbajtjen dhe rikthimin e rinisë në vend.

Të dhënat tregojnë se kjo tkurrje nuk është një fenomen rajonal apo ballkanik, por një problem i theksuar specifik shqiptar. Largimi masiv i të rinjve po e lë vendin pa forcë aktive pune dhe po zbeh potencialin për inovacion dhe zhvillim ekonomik.

Vetëm brenda një viti, Shqipëria ka humbur rreth 18,300 të rinj, një shifër që në terma praktikë përfaqëson zhdukjen e një qyteti të tërë të përbërë nga studentë dhe profesionistë të rinj. Ndërkohë, vende si Gjermania dhe Italia – destinacionet kryesore të emigrimit shqiptar – po shënojnë rritje të popullsisë së re, me 0.50% dhe 0.72%, duke përfituar drejtpërdrejt nga kapitali njerëzor që largohet nga Shqipëria.

Ndërsa ekonomitë e zhvilluara po arrijnë të tërheqin dhe të integrojnë rininë, Shqipëria po tkurret me ritme që rrezikojnë seriozisht çdo strategji afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm. Nëse trendi i vitit 2025 vijon pa ndërhyrje, pasojat pritet të ndihen fort në sistemin e pensioneve dhe në sektorin privat, i cili tashmë përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Kjo e shtyn vendin drejt një plakjeje të përshpejtuar, duke e pozicionuar Shqipërinë ndër vendet me ritmin më të shpejtë të plakjes në Europë.

Scroll to Top