Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
16 dhjetor 2025
Partia Demokratike nuk po gjen qetësi që prej të enjtes së kaluar kur falë firmave të saj dhe votave të socialistëve, Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit.
Pas votimit në Kuvend, Partia Demokratike zhvilloi një mbledhje urgjente të kryesisë të shtunën, nga e cila sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, doli me akuza se lobimi për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit është bërë nga Grida Duma.
Noka deklaroi se disa deputetë kanë pohuar se janë kontaktuar në lidhje me këtë çështje, duke shtuar se sipas tij ekzistojnë edhe pretendime se vetë Duma ka negociuar me kryeministrin Edi Rama për këtë kandidaturë.
Në reagimin e saj publik, drejtuesja dhe moderatorja e emisionit Top Story në Top Channel, Grida Duma, i cilësoi deklaratat e Nokës si një përpjekje për ta përfshirë atë në një përplasje politike. Ajo theksoi se nuk ka qenë pjesë e asnjë lobimi dhe se përfshirja në këto “lojëra politike” nuk përkon me mënyrën e saj të veprimit.
Duma u shpreh se posti i Avokatit të Popullit nuk përfaqëson një pushtet real dhe se, sipas saj, përdoret më shumë si një instrument politik për të mbuluar probleme të tjera. Ajo shtoi se nuk ka asnjë interes për këtë funksion dhe se pretendimet ndaj saj janë të pabazuara.
Duke iu përgjigjur kritikave se nuk ka bërë “opozitën e opozitës”, Duma deklaroi se drejtuesit aktualë të PD-së kanë mbi 20 vite në pushtet dhe, sipas saj, nuk tregojnë vullnet për ta lëshuar atë. Ajo akuzoi drejtuesit e partisë për keqmenaxhim dhe përfshirje në skandale që, sipas saj, kanë dëmtuar rëndë Partinë Demokratike dhe anëtarësinë e saj.

















