A po synon BE të godasë të ardhurat e Rusisë nga energjia dhe industria ushtarake me paketën e 18-të të sanksioneve?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 qershor 2025

BE po përgatit paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Presidentja e KE von der Leyen propozon uljen drastike të çmimit të naftës bruto ruse. Sanksionet e BE-së do të godasin sektorin rus të energjisë dhe bankave.

Komisioni Evropian ka prezantuar propozimin për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, me qëllim goditjen e të ardhurave të Kremlinit nga eksportet e energjisë dhe industria e armëve. Lajmi u bë i ditur nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi nga Brukseli se “presioni mbi Rusinë do të shtohet, pasi forca është e vetmja gjuhë që Moska e kupton”.

Në fokus të masave të reja ndëshkuese është ulja e çmimit tavan për naftën ruse, që aktualisht është 60 dollarë për fuçi. Komisioni synon ta ulë këtë nivel në 45 dollarë, si përgjigje ndaj kushteve të reja të tregut. Kjo do të diskutohet në samitin e ardhshëm të G7 që mbahet javën e ardhshme në Alberta, Kanada. Von der Leyen u shpreh optimiste se marrëveshja për uljen e çmimit do të arrihet.

Çmimi tavan për naftën ruse ishte vendosur për herë të parë në dhjetor 2022 nga BE, vendet e G7-ës dhe Australia, me synimin për të kufizuar të ardhurat ruse pa shkaktuar goditje të fortë në tregjet globale të energjisë.

Sanksione të reja ndaj anijeve dhe bankave ruse

Paketa e re përfshin edhe sanksionimin e 77 anijeve të tjera që i përkasin asaj që njihet si “flota fantazmë” e Rusisë, e përdorur për të shmangur kufizimet ndërkombëtare. Gjithashtu, 22 banka të tjera ruse pritet të shtohen në listën e zezë të BE-së.

Këto masa janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të dobësuar aftësitë financiare dhe ushtarake të Rusisë në vazhdën e luftës në Ukrainë.

Scroll to Top