Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
13 qershor 2025
A mund të zhvishen ndeshjet e futbollit të ekipit kombëtar nga pasionet kombëtare?
(Në prapaskenat e ndeshjes së futbollit Shqipëri – Serbi)
Pjesa e parë
Ishte fare e qartë se lidhur me ndeshjen Shqipëri – Serbi rezultati i saj kishte për drejtuesit e futbollit ndoshta njësoj rëndësi sa edhe ajo që do të ndodhte në shkallët e stadiumit.
Prej javësh në media ndihej një ankth dhe shqetësim i tyre.
Nuk ishte fjala të mos kishte incidente fizike si hedhje sendesh të forta, vënie zjarri në tribuna, përleshje mes tifozëve. Jo, ishte gjë tjetër. Dukej se situata kishte të bënte me disa anë të komunikimit.
Së pari, me thirrjet e tifozëve shqiptarë. Pra sa ato do të kishin karakter etnik, armiqësor apo fyes ndaj serbëve, lojtarë, apo si komb.
Së dyti, për këngën apo këngët që do të këndoheshin në stadium, pra a do të kishin ato një karakter identiteti luftarak që nuk lidhet me futbollin, por me luftën e patriotëve kosovarë për liri.
Së treti, lidhur me simbolet, a do të ishin ato të lidhura me një identitet politik dhe etnik shqiptar si imazhi i shqiponjës, simbolet e UÇK, etj.
U pa qartë që më parë se kishte një tension midis nga njëra anë Federatës shqiptare të futbollit, organizmave të caktuara të shtetit shqiptar, si policia, etj., mediave, dhe nga ana tjetër e tifozëve që janë mësuar prej më shumë se një dekade të shoqërojnë skuadrën e futbollit me hymne dhe këngë a imazhe patriotike, e mbi të gjitha t’i këndojnë vrullit patriotik duke promovuar luftën e Kosovës kundër shtypjes dhe për liri.
Me një fjalë kishte një tension midis atyre që quhen lidership, burokraci, menaxhment, hajde po i quaj për t’u bërë qejfin elita organizuese politiko-mediatike dhe futbollistike nga njëra anë dhe masës së tifozëve nga ana tjetër.
Ky tension nuk kishte të bënte fare as me lojën në fushë, as me rezultatin, as besoj me penalltinë e humbur, as me sulmet dhe kundërsulmet e skuadrave në fushë.
Prej më shumë se dhjetë ditësh, lidershipi politik, mediatik dhe institucional në vend është mobilizuar për të theksuar se ndeshja e ardhshme duhet të trajtohet vetëm si një përballje sportive, pa ngarkesa kombëtare apo emocione jashtëkornizave të futbollit.
Kjo qasje, që kërkon ndarjen e sportit nga konteksti shoqëror dhe identitar, është përballur me reagime të shumta nga tifozët, të cilët, përmes deklaratave publike, kanë kërkuar që ndeshja të vijojë të përcillet me të njëjtën frymë patriotike që ka karakterizuar përballje të ngjashme ndër vite.
Në këtë atmosferë të tensionuar dhe të ndarë në qëndrime, janë shfaqur edhe episode simbolike: një tifoz shqiptar ka përqafuar dhe puthur një gazetar të televizionit serb në shenjë paqeje, ndërsa policia ka ndaluar futbolldashës me veshje që mbanin simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, altoparlantët në stadium nuk transmetuan më këngën e njohur për Adem Jasharin, një simbol i luftës për çlirim, gjë që është interpretuar si përpjekje për të shmangur çdo shenjë të nacionalizmit.
Ndërkohë, në studio televizive, analistë të ndryshëm kanë mbrojtur idenë se sporti është neutral dhe se nuk duhet të ngatërrohet me raportet ndëretnike apo ndjesitë kombëtare. Ata kanë theksuar se futbolli është një lojë teknike, e barabartë për të gjithë, dhe duhet të trajtohet si i tillë – pa elementë simbolikë që ngarkojnë ndeshjen me emocione apo tensione të panevojshme.
Në këtë kontekst, është krijuar një kontrast i theksuar midis përpjekjeve institucionale për neutralizim të atmosferës dhe ndjenjës së një pjese të madhe të publikut që e përjeton futbollin si shumë më tepër se një lojë – si një shprehje e përkatësisë, e historisë dhe emocioneve kolektive.