Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 qershor 2025
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka informuar disa prej partnerëve më të rëndësishëm në botë për sulmet që do të kryhen në Iran. Është informuar edhe Gjermania.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se është informuar me telefon në lidhje me veprimet ushtarake dhe objektivat që do të goditeshin në Iran.
Merz bëri të ditur se më pas ka ftuar në takim Kabinetin e Sigurisë së qeverisë federale. Në një deklaratë për publikun ai tha se “Programi bërthamor iranian shkel dispozitat e Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore dhe përbën një kërcënim serioz për të gjithë rajonin, veçanërisht për shtetin e Izraelit”.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet”
Në një deklaratë zyrtare, është theksuar se Izraeli ka të drejtën legjitime për të mbrojtur ekzistencën dhe sigurinë e qytetarëve të tij. “Ne riafirmojmë qëndrimin se Izraeli ka të drejtë të mbrojë ekzistencën e tij dhe sigurinë e qytetarëve të tij,” thuhet në deklaratë. Krahas kësaj, përfaqësuesi gjerman Merz i bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës dhe destabilizim të mëtejshëm të rajonit.
Gjermania ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e saj për të ndërmjetësuar me anë të mjeteve diplomatike që ka në dispozicion, me qëllimin kryesor që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore.
SHBA dhe BM të gatshme të ndihmojnë
Përpara deklaratës së Gjermanisë, reaguan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se SHBA-të ishin në dijeni të zhvillimeve të pritshme dhe paralajmëroi për një përgjigje të mundshme të Izraelit ndaj Iranit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio theksoi se SHBA nuk ka qenë e përfshirë në sulme ndaj Iranit, por bëri të qartë se në rast të ndonjë sulmi iranian, SHBA do të dalë në mbrojtje të Izraelit.
Britania e Madhe ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke konfirmuar se është e gatshme të mbrojë Izraelin nga çdo kërcënim i mundshëm.