Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
23 qershor 2025
Para samitit të NATO-s arrihet marrëveshja për shpenzimet e mbrojtjes. Sipas njoftimeve anëtarët e aleancës po përgatiten ta rrisin objektivin në të paktën pesë për qind të PBB-së.
Shenjat janë për për një samit të suksesshëm të mërkurën në Hagë (25.06.), ku aleanca transatlantike, NATO dëshiron të demonstrojë unitetin dhe forcën e saj. Marrëveshja e arritur mes 32 anëtarëve të aleancës vjen në momentin e duhur. Paraprakisht u arrit marrëveshje për objektivin e ri të planifikuar të shpenzimeve të mbrojtjes, sipas disa agjencive të lajmeve që iu referohen qarqeve të diplomatëve. Në një deklaratë propozohet objektivi i rritjes së shpenzimeve prej pesë përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2035. Të gjitha shtetet anëtare të NATO-s i miratuan planet që parashikojnë 3.5 për qind të PBB-së për shpenzime të qarta mbrojtëse dhe 1.5 për qind për shpenzime që lidhen me mbrojtjen, siç janë masat e infrastrukturës. Deklarata pritet të miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive në samitin e tyre në Hagë të mërkurën, i cili do të shoqërohet me masa të forta sigurie.
Shqetësim në rast të largimit të SHBA
Aktualisht, objektivi i shpenzimeve të mbrojtjes i NATO-s kërkon shpenzime kombëtare vjetore vetëm prej të paktën dy përqind të PBB-së. Arsyeja për rritjen e shpenzimeve është jo vetëm kërcënimi që paraqet Rusia, por edhe kërkesa e Presidentit të SHBA-së Donald Trump që evropianët të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për parandalimin dhe mbrojtjen konvencionale në kontinentin e tyre në të ardhmen. Vendet evropiane të NATO-s kanë frikë se Trump mund t’i kthejë shpinën aleancës nëse nuk arrihet rritja e shpenzimeve. Në të kaluarën, presidenti amerikan ka kërcënuar se do të ndihmojë vetëm ato vende që, sipas tij, paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.
Që samiti të ketë sukses, Sekretari Përgjithshëm, Mark Rutte duket se do të marrë parasysh edhe faktorin, Donald Trump, si shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa që kujton skandalin në samitin e NATO-s në mandatin e parë të Trumpit në vitin 2018, ku ai ishte i zemëruar për shkak të shpenzimeve të ulta për mbrojtjen të vendeve anëtare të NATO-s. Sipas këshilltarit të tij të atëhershëm për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, SHBA-të ishin atëkohë në prag të tërheqjes nga NATO. Ishte kryeministri i atëhershëm holandez Rutte, që arriti të qetësonte Trump, dhe ia dha më pas nofka “Pëshpëritësi i Trumpit”. Këtë herë NATO ka marrë masa të shmangë situata të caktuara. Tre ditët e parashikuara për samitin u reduktuan. Të martën organizohet një pritje për krerët e qeverive dhe shteteve anëtare. Të mërkurën paradite pastaj pritet samiti i 32 vendeve anëtare që merr fund pasdite.
Po bllokon Spanja?
Pas marrëveshjes, kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez deklaroi se ishte bërë një përjashtim për vendin e tij. Por komentet e kryeministrit spanjoll, se vendi i tij nuk ishte zotuar të rriste shpenzimet e mbrojtjes në pesë përqind të produktit të brendshëm bruto, u përshkruan në Bruksel si të motivuara nga brenda sipas agjencisë së lajmeve dpa. Nga shtabi qendror i aleancës, u tha se nuk ka përjashtim për Spanjën. Të enjten, Sánchez e kishte përshkruar objektivin prej pesë përqind si “të paarsyeshëm” dhe “kundërproduktiv” në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kishte kërkuar një “formulë më fleksibël” që ose do ta bënte objektivin e shpenzimeve opsional ose do ta përjashtonte Spanjën prej tij. Kundërshtimi nga Madridi shkaktoi irritime midis partnerëve të aleancës, të cilët e panë atë si rrezikim të kompromisit për samitin që ishte përgatitur prej muajsh.
Me interes pritet në samit edhe paraqitja e Kancelarit Friedrich Merz (CDU) në samitin e tij të parë të NATO-s. Me paparashikueshmërinë e administratës amerikane dhe dyshimet për besueshmërinë, thirrjet për një rol udhëheqës gjerman në NATO po bëhen gjithnjë e më të forta.