Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
27 janar 2026
India nis betejën për pavarësi në çipa kompjuterikë, por sfidat mbeten të mëdha
Për Arnob Roy, bashkëthemelues i Tejas Networks, furnizimi i qëndrueshëm me çipa kompjuterikë është kyç për funksionimin e rrjeteve të telekomunikacionit. Kompania e tij, me bazë në Bangalore, prodhon pajisje që mbajnë në funksion rrjetet e telefonisë celulare dhe lidhjet me brez të gjerë. Por për këtë janë të nevojshëm çipa të veçantë për telekomunikacion, të cilët janë ndryshe nga çipat e telefonave inteligjentë, pasi duhet të përballojnë vëllime të mëdha të dhënash dhe të jenë të besueshëm pa ndërprerje.
Tejas projektin e çipave e kryen në Indi, një vend me ekspertizë të madhe në dizajnin e gjysmëpërçuesve. Vlerësohet se rreth 20% e inxhinierëve të çipave në botë punojnë në Indi, dhe shumë kompani globale kanë qendra të mëdha të dizajnit atje. Megjithatë, ajo që mungon është prodhimi i çipave brenda vendit.
Kjo dobësi u bë e dukshme gjatë pandemisë, kur ndërprerjet e furnizimit shkaktuan probleme për industri të ndryshme. Kjo nxitës i shtyu autoritetet indiane të ndërmarrin hapa për të zhvilluar një industrinë vendase të gjysmëpërçuesve, për të zvogëluar varësinë dhe rrezikun në zinxhirin global të furnizimit.
Procesi i prodhimit të një çipi kalon në tri faza: dizajnin (ku India është e fortë), prodhimin e pllakave të silikonit (që dominohet nga Tajvani dhe Kina) dhe fazën e montimit, testimit dhe paketimit (OSAT). India po synon fillimisht këtë fazë të fundit, e cila është më e lehtë për t’u nisur. Disa impiante OSAT pritet të hyjnë në prodhim masiv këtë vit.
Kaynes Semicon, kompania e parë e mbështetur nga qeveria indiane, ka investuar 260 milionë dollarë në një fabrikë në Gujarat për montim dhe testim çipash, dhe prodhimi ka nisur në nëntor. Por kjo fabrikë nuk do të prodhojë çipa shumë të avancuar për telefonë inteligjentë ose inteligjencë artificiale, por do të fokusohet në çipa për makina, telekomunikacion dhe mbrojtje – të cilët janë strategjikisht shumë të rëndësishëm për Indinë.
Megjithatë, sfidat janë të mëdha. Prodhimi i gjysmëpërçuesve kërkon disiplinë të lartë, kontroll të procesit dhe trajnime të gjata, ndërsa mungesa e eksperiencës dhe stafi i trajnuar është një pengesë e rëndësishme. Pavarësisht kësaj, Roy shpreson se në dekadën e ardhshme India do të ndërtojë një bazë të fortë prodhuese, që do të ndihmojë kompani si Tejas të blejnë teknologji vendase.
Ai thekson se projekti për çipa të plotë telekomunikacioni do të marrë kohë dhe kapital, por India po fillon të investojë në këtë drejtim dhe po ndërton një rrugë të gjatë drejt pavarësisë teknologjike.

















