“700 familje shqiptare” – Reagon ashpër Rama ndaj Sekretares së Brendshme britanike

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 nentor 2025

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj deklaratave të Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila gjatë prezantimit të planit të ri të azilit përmendi rreth 700 familje shqiptare me kërkesë të refuzuar për azil që pritet të largohen nga vendi.

Në një postim në platformën “X”, Rama e cilësoi deklaratën e saj “zhgënjyese” dhe një ripërsëritje të retorikës së së djathtës ekstreme populiste. Ai u shpreh se është e papranueshme që një ministre laburiste të veçojë shqiptarët si shembull, në një kohë kur – sipas tij – Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një nga partneritetet më efektive të Evropës për luftën kundër migracionit të paligjshëm.

Rama kujtoi se falë bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve që prej fundvitit 2022, mbërritjet e parregullta nga Shqipëria drejt Britanisë janë reduktuar pothuajse në zero, ndërsa akuzoi Londrën se ka mbajtur në fuqi politika të vjetra kufizuese për viza e lëvizshmëri që sipas tij dëmtojnë edhe ekonominë britanike.

Kryeministri nënvizoi se shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe se përfituesit e ndihmave sociale nga komuniteti shqiptar janë shumë më pak krahasuar me komunitete të tjera. Sipas tij, përmendja e vazhdueshme e shqiptarëve në debatin politik është “demagogji e panevojshme”.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një aleat kyç i Britanisë në çështjet e sigurisë dhe kontrollit të migracionit në rajonin e Ballkanit, duke i bërë thirrje qeverisë britanike të thellojë bashkëpunimin në vend të retorikave që sipas tij rrisin rreziqet dhe ushqejnë narrativa ekstremiste. “Politika nuk duhet të udhëhiqet nga stereotipet etnike,” përfundoi Rama.

Scroll to Top