Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
15 qershor 2025
Sirenat e alarmit gjëmuan në Tel Aviv gjatë natës, pasi një valë e re raketash u lëshua nga Irani drejt Izraelit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave dhe plagosjen e rreth 200 të tjerëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), miliona qytetarë u detyruan të strehohen në bunkerë, ndërsa një raketë ra edhe në Jeruzalem.
Në kundërpërgjigje, Izraeli njoftoi se ka goditur një sërë objektivash në Teheran, përfshirë depozita karburanti dhe ndërtesa të Ministrisë së Mbrojtjes, të lidhura me programin bërthamor të Iranit. Agjencia iraniane Tasnim konfirmoi dëmtimin e një godine të kësaj ministrie.
Situata është përshkallëzuar më tej me përfshirjen e rebelëve Huthi nga Jemeni, të cilët thanë se kanë lëshuar raketa balistike hipersonike “Palestine 2” drejt Izraelit. Ata paralajmëruan edhe sulme të tjera të koordinuara ndaj objektivave izraelite.