14,000 trupa, 100 raketa balistike dhe miliona municione: Çfarë i ka dërguar Koreja e Veriut Rusisë, zbulon raporti

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 maj 2025

Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me miliona municione dhe mijëra ushtarë gjatë vitit të fundit, në një operacion të gjerë që ka ndihmuar Moskën të intensifikojë sulmet ndaj qyteteve ukrainase, sipas një raporti të publikuar të enjten nga Ekipi i Monitorimit të Sanksioneve Shumëpalëshe (MSMT), një strukturë e përbërë nga 11 vende anëtare të OKB-së.

Raporti, i cili vjen pas shpërbërjes së panelit të mëparshëm të Kombeve të Bashkuara për shkak të presionit rus, detajon përmasat e ndihmës ushtarake që Pheniani i ka ofruar Kremlinit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Sipas gjetjeve, gjatë vitit 2024 Koreja e Veriut ka dërguar deri në 9 milionë fishekë dhe municione artilerie, rreth 11,000 trupa në vitin e kaluar dhe 3,000 të tjerë në muajt e parë të këtij viti, si dhe një arsenal të konsiderueshëm armatimesh të rënda, përfshirë raketahedhës, automjete luftarake dhe mbi 100 raketa balistike.

Këto raketa, thuhet në raport, janë përdorur nga Rusia për të goditur objektiva civile në Ukrainë, përfshirë qytete si Kievi dhe Zaporizhzhia, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në infrastrukturën civile dhe duke përhapur frikë tek popullsia.

Në këmbim të këtij bashkëpunimi të paligjshëm, Rusia ka furnizuar Korenë e Veriut me teknologji ushtarake dhe pajisje të vlefshme, përfshirë sisteme mbrojtjeje ajrore, raketa kundërajrore, pajisje për luftë elektronike dhe naftë të rafinuar.

Raporti thekson se kjo aleancë e fshehtë ushtarake përbën një shkelje flagrante të sanksioneve ndërkombëtare dhe ka ndihmuar ndjeshëm në fuqizimin e kapaciteteve sulmuese të Rusisë në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Scroll to Top