Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 maj 2025
OKB; Izraeli të lejojë urgjentisht hyrjen e ndihmave ushqimore
14 mijë fëmijë rrezikojnë jetën brenda 48 orëve nga uria në Rripin e Gazës, siç paralajmëroi zv/sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Tom Fletcher, në median britanike BBC.
“Janë 14 mijë bebe që do të vdesin në 48 orët e ardhshme, nëse nuk u dërgojmë atyre ushqim. Është drithëruese, por nuk kemi ç’bëjmë. Do të bëjmë çmos t’u dërgojmë atyre ngarkesat me ushqim sot. Nuk kemi tjetër zgjidhje”.
Fletcher tha se OKB ka gati 100 kamionë me ushqim kryesisht për të miturit, që synon t’i dërgojë sot brenda territorit të Rripit të Gazës, ndonëse situata në terren është e rrezikshme dhe për shkak të bombardimeve të ashpra të Izraelit që kanë rinisur prej të premtes, pas shuarjes së të gjitha shpresave për vazhdimin e armëpushimit.
Vetem natën e kaluar, në gjithë territorin janë vrarë të paktën 60 persona nga këto bombardime. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se do të lejojë hyrje minimale të ndihmave, pasi sipas tij ato mund të bien në duart e Hamasit.
Të hënën, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Franca kërcënuan se do të ndërmarrin veprime të paprecedenta ndaj Izraelit, nëse nuk ndalet sulmi i ri ushtarak në Rripin e Gazës dhe nuk hiqet bllokada ushqimore.