Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
12 janar 2026
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, ka zhvilluar një takim me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ku u diskutua procesi i transformimit të FSK-së dhe perspektiva e saj në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, gjenerallejtënant Jashari shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë FSK-së në aspektin e zhvillimit dhe profesionalizimit.
Nga ana tjetër, Böttcher rikonfirmoi përkrahjen e Berlinit për Kosovën dhe institucionet e saj të sigurisë, duke theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në në rrugën e saj zhvillimore. Ai nënvizoi se Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë janë parë nga Gjermania si pjesë e një arkitekture të përbashkët dhe të integruar evropiane të sigurisë.
Zëvendësambasadori gjerman vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë, të fortë dhe konstruktiv ndërmjet Gjermanisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

















