ZRRE-ja vendos ta zbatojë vendimin e Supremes për liberalizimin e tregut të energjisë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 dhjetor 2025

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka vendosur të zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi dy nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike. Sipas ZRRE-së, vendimi ka karakter deklarativ dhe nuk krijon ose shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët dhe pjesëmarrësit në treg.

Ushtruesi i detyrës në Departamentin Ligjor të ZRRE-së, Ymeridin Misini, tha se shfuqizimi i udhëzuesit nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në marrëdhëniet juridike të bazuara në legjislacionin aktual. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Supreme interpreton detyrimisht nenin 37 të Ligjit për Energjinë Elektrike, duke përcaktuar se e drejta për shërbime universale u takon vetëm konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve të vogla që plotësojnë kriteret ligjore.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, njoftoi se vendimi u mor me 5 vota për dhe asnjë kundër, duke konfirmuar zbatimin e vendimit të Supremes lidhur me shfuqizimin e udhëzuesit që nga viti 2021 dhe pezullimin e dy neneve specifike.

Në të njëjtën mbledhje, ZRRE miratoi edhe Rregullën e Mekanizmit Mbështetës të Energjisë së Ripërtërishme, që përcakton kornizën rregullative për funksionimin, financimin dhe mbikëqyrjen e këtij mekanizmi, duke synuar një sistem të qëndrueshëm dhe transparent për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Gjithashtu, u miratua Plani i Integritetit 2024–2026, i cili adreson menaxhimin e rrezikut të integritetit në fushat e burimeve njerëzore, menaxhimit financiar, prokurimit, licencimit dhe tarifave, duke siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Vendimi i Gjykatës Supreme vjen pas padisë së Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër ZRRE-së, duke shpallur të paligjshëm nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike dhe neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e tij, të miratuar më 28 mars 2019.

Scroll to Top