Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 shkurt 2026
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka mbajtur takim me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet kryesore në sektorin e energjisë elektrike, duke përfshirë procesin e liberalizimit të tregut, projektet energjetike dhe shqyrtimet tarifore. ZRRE prezantoi progresin e fazave të liberalizimit, duke theksuar se faza e parë po zbatohet me sukses dhe se procesi do të vazhdojë gradualisht dhe në përputhje me ligjin dhe parimet e tregut të hapur.
Po ashtu, u diskutua zhvillimi i projekteve të energjisë nga burime të ripërtëritshme dhe investimet në rrjetin e transmisionit dhe shpërndarjes, me qëllim integrimin e sigurt të kapaciteteve të reja në sistemin elektroenergjetik.
Sa i përket tarifave, u trajtua ndikimi i kostove operative, vjetërsisë së rrjetit, humbjeve teknike dhe performanca e blloqeve gjeneruese në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike.
ZRRE ritheksoi rolin e saj si institucion i pavarur rregullator, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit rregullator dhe sigurisë ligjore për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve, si dhe përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

















