ZRRE aprovon shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 prill 2025

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot ka aprovuar tarifën prej 16.1 për qind për shtrenjtimin e rrymës.

Në mbledhjen e Bordit, për këtë pikë votuan pesë anëtarët e bordit të ZRRE-së.

Ndërkaq, anëtarët e Bordit deklaruan se aprovimi i këtyre tarifave është i domosdoshëm për të siguruar energji elektrike, raporton KosovaPress.

Kryesuesi i bordit në ZRrE, Ymer Zejnullahu, tha se konsumatorët shtëpiakë familjarë dhe bizneset e vogla, me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë janë dy kategoritë që mund të furnizohen me këto tarifa nga 1 maji deri më 31 mars 2026.

Lajmi në përditësim…

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten e 11 prillit bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%, raporton KosovaPress. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

Të premten, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRrE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës. Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje.

Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.

Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.

Scroll to Top