ZPS-ja përmbyll paraqitjen e provave në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 prill 2025

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur paraqitjen nga ana e saj të provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjykim ky i cili filloi më 3 prill të vitit 2023.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë. ZPS-ja paraqiti rreth 3 000 prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore.

“Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave. Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave”, bën të ditur ZPS-ja.

Prokurorja e Specializuar Kimberly West ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.

Scroll to Top