Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
26 janar 2025
Kosova do të presë deri në konstituimin e Kuvendit të ri për marrjen e këstit të parë prej 61 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtarë në Kuvend, të cilat nuk mund të ndodhin tani pasi ka përfunduar legjislatura dhe vendi mban zgjedhjet më 9 shkurt.
Në Qeverinë e Kosovës, thonë se porsa të miratohen marrëveshjet në Kuvend mjetet do të disbursohen dhe se vonesat nuk ndërlidhen me masat që BE-ja i ka vendosur Kosovës.
Plani i rritjes është kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro, janë hua afatgjatë.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian nuk ka ekzekutuar pagesat për asnjë shtet në rajon, pasi asnjë prej tyre nuk ka arritur t’i miratojë marrëveshjet me BE-në në kuvendet e tyre.
“Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosova, duhet të nënshkruajnë dhe aprovojnë në Parlament dy marrëveshje që ky instrument të hyjë në fuqi dhe më pas të bëhet transferi i këstit të parë. Këto janë: marrëveshja për instrumentin dhe marrëveshja për hua. E para është nënshkruar nga Kryeministri dhe Komisioni Evropian dhe është dërguar në Kuvend si projektligj qysh në dhjetor, derisa marrëveshja e dytë është dërguar rishtazi nga KE, pra në janar të këtij viti. Asnjë shtet në rajon nuk ka arritur ende t’i aprovojë këto dy marrëveshje, e si rrjedhojë pagesat nuk janë realizuar për asnjë shtet në rajon ende. Në rastin e Kosovës, këto dy marrëveshje do të aprovohen pas konstituimit të Kuvendit të ri e në vijim pastaj mjetet mund të disbursohen”, thotë ai.
Në anën tjetër, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Annita Hipper, thotë për KosovaPress se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian do të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.
Sipas saj, Komisioni Evropian ka vlerësuar agjendën e reformave të Kosovës dhe ka arritur në përfundim se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e këtij institucioni.
Ajo shton se tani janë duke finalizuar hapat e fundit procedural dhe se mjetet e para-financimit do të ekzekutohen në vitin 2025, pas ratifikimit të marrëveshjeve.

















