Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 janar 2025
Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka shprehur kritika të ashpra ndaj procesit gjyqësor, i cili po zhvillohet ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka deklaruar se mënyra se si po trajtohen të akuzuarit nuk përfaqëson drejtësi dhe se një gjykim i tillë është një turp për drejtësinë ndërkombëtare.
Walker ka kritikuar kohëzgjatjen e hetimeve, procesin penal, si dhe mbajtjen e të akuzuarve në paraburgim, sipas tij duke u dhënë shumë pak qasje në botë. Prandaj, edhe e quan një krim që po u bëhet atyre.
“Gjithmonë kam qenë një admirues i madh i gjykatës në Hagë. Kam shkuar atje për të dëshmuar kundër Millosheviçit. Ndjej shumë fort që ajo që ka ndodhur këtu duhet të zbulohet përsëri para botës, dhe një proces gjyqësor është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Megjithatë, procesi që i është imponuar Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit nuk është drejtësi. Sipas mendimit tim, është një padrejtësi. Të kesh një hetim që zgjat pothuajse dhjetë vjet, pastaj një ndjekje penale që zgjat mbi tre vjet, dhe të mbash të akuzuarit në paraburgim duke u dhënë shumë pak qasje në botë, për mua është një krim”, ka thënë ai.
Ai deklaroi se Dhomat e Specializuar në Hagë janë duke demonstruar padrejtësinë, kjo pasi sipas tij, parimi i pafajësisë deri në dëshmimin e fajësisë po shkelet në mënyrë flagrante.
“Vërtet ndjej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk po demonstron drejtësi. Po demonstron të kundërtën. Sipas mendimit tim, dhe mendoja edhe sipas sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën ku ka drejtësi, i akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa të dënohet. Dhe ti nuk e fut dikë në burg për tre vjet ndërkohë që po zhvillon një gjyq me 400 dëshmitarë”, ka thënë ai.
Walker gjithashtu ka kritikuar qasjen kufizuese të Gjykatës Speciale ndaj vizitorëve, përfshirë vështirësitë e tij për të takuar ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Veseli.

















