Vuçiqi i shqetësuar nga pakti trepalësh, e quan “garë armësh” memorandumin Shqipëri Kroaci Kosovë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 mars 2025

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh”, duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiqi për gazetarë në Bruksel më 19 mars.

Duke folur pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiqi theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.

“Është detyra jonë t’ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiqi.

Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë.

Scroll to Top