Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
14 nentor 2025
Një 41-vjeçar nga Kosova, Burim Havolli, ka humbur jetën tragjikisht në Brooklyn të Nju Jorkut, pasi u sulmua ndërsa po përpiqej të ndalonte një person që po vidhte pako në hollin e ndërtesës ku ai punonte si mbikëqyrës. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes në Ocean Avenue, në zonën e Flatbush.
Policia u njoftua rreth orës 08:00 dhe në vendngjarje gjeti Havollin me lëndime të rënda në kokë. Ai u transportua me urgjencë në spitalin Kings County, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Sipas dëshmive të fqinjëve, 41-vjeçari u sulmua teksa tentonte të pengonte grabitjen e pakove në ndërtesë.
Banorët e zonës janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke theksuar se siguria në lagje është përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit. Familja e viktimës e ka përshkruar Burim Havollin si një njeri punëtor, të respektuar dhe të përkushtuar ndaj detyrës.
Policia e Nju Jorkut po vijon hetimet për zbardhjen e motivit të sulmit. Një person i interesuar është marrë në pyetje, por deri tani nuk janë ngritur akuza.

















