Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 shkurt 2025
Në një seancë të cilësuar të jashtëzakonshme, është votuar është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër, projektbuxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2025.
Projektbuxheti u votua pas debateve të ashpra mes pozitës dhe opozitës, ku në fund u inkorporuan edhe ndryshimet-propozimet nga këshilltarët komunalë të opozitës.
Ngërçi i votimit të buxhetit komunal të Gjilanit kishte nisur qysh nga shtatori i vitit të kaluar.
Gjatë adresimit para kuvendarëve, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se kjo seancë nuk është ftuar sipas procedurave siç e thotë ligji, pasi do të duhej të cilësohej si seancë urgjente e ftuar nga ai, për ta prezantuar më pas buxhetin për vitin 2025.
“Totali i kufijve buxhetorë për buxhetin e vitit 2025 është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi rreth mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetanake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, është shprehur Hyseni.
Ai tha se në total janë 31 projekte kapitale, të cilat janë të planifikuara për t’u realizuar në vitin 2025.

















