Vlerësimi i fletëvotimeve të Diasporës për Balotazhin në Kosovë: Mbi 9,800 pakot e shqyrtuara, 2,570 u refuzuan

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 nentor 2025

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i vlerësimit të fletëvotimeve të diasporës për balotazhin e 9 nëntorit për zgjedhjet e kryetarëve të 18 komunave.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri më tani janë shqyrtuar mbi 9,800 fletëvotime nga rreth 13,084 pakot që janë dërguar nga jashtë Kosovës. Nga këto, 7,240 janë aprovuar, ndërsa 2,570 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit, një dokument i domosdoshëm që konfirmon të drejtën e votimit.

“Procesi ka për qëllim të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Deri tani, pjesa më e madhe e pakove është shqyrtuar, ndërkohë që arsyeja kryesore për refuzim ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit në rreth 2,500 raste,” tha Elezi .

KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të vlerësimit, do të publikojë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime që do të numërohen në QNR.

Fletëvotimet u tërhoqën më 11 dhe 12 nëntor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të botës, duke përfshirë gjithsej 13,084 pakot e supozuara që iu përkasin votimit me postë jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në këtë moment, pjesa më e madhe e tyre ka mbërritur në Kosovë dhe është nën procesin e verifikimit nga QNR.

Scroll to Top