Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 nentor 2025
OSBE-ja dhe BE-ja kanë vlerësuar organizimin e suksesshëm të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke përgëzuar KQZ-në për profesionalizëm dhe përkushtim në forcimin e demokracisë.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka vlerësuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një deklaratë publike, McGurk ka përgëzuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor të tetorit dhe nëntorit.
Ai ka theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve zgjedhore kanë forcuar demokracinë në vend.
“Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj kanë forcuar proceset demokratike në Kosovë. Urime të gjithë kryetarëve të rinj dhe të rizgjedhur, puna juaj me dhe për komunitetet tuaja fillon nesër. Me padurim pres t’ju takoj së shpejti”, tha McGruk.
Ushtruesja e Detyrës së Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në 18 komuna të Kosovës.
Palatova e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një dëshmi të demokracisë në vend dhe ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të ciklit të zgjedhjeve lokale.
Ky raund i zgjedhjeve ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet demokratike dhe për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Qytetarët në 18 komuna votuan më 9 nëntor për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës. Në këtë rund, LDK-ja fitoi pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër, ndërkaq PDK-ja në tre. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.

















