Vjosa Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Vuçiq tentoi të prishte takimin me ofendime dhe arrogancë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 tetor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një paraqitjeje për media në Samitin e Brdo-Brijunit të mbajtur në Durrës, u shpreh se, përkundër reformave të ndërmarra, Kosova vazhdon të mbetet nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk ka dhënë një arsye pse këto sanksione janë ende në fuqi, edhe pse kushtet e vendosura me marrëveshjen e Bratislavës janë përmbushur.

Osmani tha se aplikacioni për anëtarësim është dorëzuar që në vitin 2022, por për shkak të disa shteteve anëtare, ende nuk është mandatuar Komisioni Evropian për të trajtuar çështjen e statusit të kandidatit të Kosovës. Ajo theksoi se kjo tregon se procesi nuk është i bazuar në merita, por ndikohet nga zhvillime politike dhe konsiderata të brendshme të vendeve anëtare.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Kroacisë dhe Sllovenisë për të qenë zëri i Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian dhe për të shtuar përkrahjen e tyre.

Ajo u ndal edhe te qëndrimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë samitit, duke theksuar se si në takime të mëparshme të Brdo-Brijunit, edhe këtë herë Vuçiq iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentime për ta prishur takimin. Megjithatë, Osmani tha se, pavarësisht kësaj, u arrit miratimi i deklaratës së përbashkët me unanimitet.

“Për çdo propagandë që Vuçiq synonte ta paraqiste para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme në anën e së drejtës,” u shpreh Osmani.

Në fund, ajo theksoi se Kosova është pro bashkëpunimit rajonal, por njëkohësisht do të vazhdojë të mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.

Scroll to Top