sulmi ne kanal veri

Veriu i Kosovës – toptema e vitit 2024

Mbrëmjen e 29 nëntorit Policia e Kosovës tha se një shpërthim në një fshat të komunës së Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe, dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u shërben disa qyteteve dhe termocentraleve të vendit, që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.

Koha e parashikuar e leximit: 7 minuta

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi sulmin akt kriminal dhe terrorist, që synonte dëmtimin e infrastrukturës thelbësore të vendit.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.

Shpërthimi u dënua nga Shtetet e Bashkuara

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që rrezikon vendin, furnizimin me energji elektrike, që rrezikon ngrohjen dhe furnizimin me ujë të pijshëm”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Bashkimi Evropian e cilësoi shpërthimin një akt terrorist dhe bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë. Beogradi mohoi të jetë përfshirë.

“Si shtet serioz, ne nuk ishim të përfshirë në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb tha se vendi i tij ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë.

Dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb u arrestuan, dy nga të cilët u dërguan në paraburgim në kuadër të hetimeve rreth shpërthimit. Policia e cila shtoi masat e sigurisë gjithandej vendit tha se gjeti dhe konfiskoi armë e municione gjatë bastisjeve në zonën përreth shpërthimit.

Vitit 2024 filloi dhe u mbyll me tensione në veri dhe rrjedhimisht me tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mospajtime ndërmjet Qeverisë në Prishtinë me aleatët e saj perëndimorë.

Në muajin shkurt hyri në fuqi një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit, euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Vendimi ngriti shqetësimin e qytetarëve serbë që i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë. Beogradi reagoi me zemërim…

“Qëllimi… është spastrimi etnik i popullatës serbe nga territori i Kosovës, apo si thuhet në Konventën e Gjenocidit, nënshtrimi i qëllimshëm i serbëve ndaj kushteve të padurueshme të jetesës… Me marrëveshjet e Brukselit, Serbia ka të drejtë të financojë institucionet serbe në Kosovë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe sipas tij, çdo pohim i të kundërtës është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Në një videomesazh në gjuhën serbe, ai tha se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin serb, por futjen e tij me thasë përmes kufirit.

“Deri tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha kryeministri Kurti.

Diplomacia perëndimore u shpreh e zhgënjyer me atë që e quajti vendim të pa bashkërenduar të autoriteteve në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kërkuan shtyrjen e zbatimit tw vendimit, ndërsa theksuan se mungesa e bashkërendimit ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e vunë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të përcaktuar mënyrën e pagesave, por kërkuan një zgjidhje të bashkërenduar në kuadër të bisedimeve në Bruksel. Por, një seri bisedimesh teknike të ndërmjetësuara nga BE-ja, nuk siguruan një pajtim mes palëve rreth kësaj çështjeje.

Në fillim të muajit gusht policia e Kosovës mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë që vepronin pa licencë në veri të vendit. Posta e Serbisë në Kosovë kryen shërbime postare dhe pagesa të ndryshme për serbët që financohen nga Beogradi zyrtar. Veprimi nxiti sërish reagimin e zemëruar të Beogradit dhe pakënaqësitë e diplomatëve perëndimorë, që kërkuan sërish shmangien e veprimeve të njëanshme.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës njoftoi diplomatët perëndimorë për planet e saj për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet komunës veriore të banuar me shumicë serbe dhe asaj jugore me shumicë shqiptare.

Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë”, tha kryeministri Kurti në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Bashkimi Evropian paralajmëroi në muajin gusht se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pabashkërenduara.

Scroll to Top