Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 shkurt 2025
Prej datës 9 shkurt e deri më tani, më 19 shkurt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar vlerësimin dhe verifikimin e 41 mijë e 35 pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora.
Nga ky numër, 38 mijë e 507 pako janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 528 janë refuzuar.
Arsyet e refuzimit të këtyre pakove lidhen kryesisht me dërgesat nga persona të cilët janë anuluar gjatë procesit të regjistrimit si votues jashtë Kosovës, me mungesën e dëftesës së regjistrimit, apo me faktin se disa pako janë dërguar më shumë se një herë.
Aktualisht, mbeten ende për t’u vlerësuar mbi 27 mijë e 921 pako të tjera me fletëvotime.
KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i saktë i pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit, do të dihet vetëm pas përfundimit të procesit të verifikimit.
Në total, gjatë periudhës së votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga diaspora.
Procesi i vlerësimit është thelbësor, pasi përmes tij verifikohet nëse votuesit janë të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat e kërkuara.
Pas këtij hapi, fletëvotimet do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë vendit ka qenë 104 mijë e 924 persona.
Prej tyre, 20 mijë e 324 persona ishin regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike, ku kanë votuar gjithsej 15 mijë e 352 qytetarë. Ndërkaq, për votim përmes postës ishin regjistruar 84 mijë e 600 shtetas të Kosovës.
Ky proces vlerësimi dhe numërimi i votave nga diaspora është një nga elementet kyçe për të siguruar integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor në Kosovë.
KQZ-ja ka publikuar të enjten rezultatin preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.

















