Vendimi i MSH-së për listën zyrtare të çmimeve i pa implementueshëm në formën aktuale

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 shkurt 2025

Oda e Farmacistëve të Kosovës në një reagim publik ka shprehur hapur kundërshtimin me vendimin e Ministrit të Shëndetësisë për listën zyrtare të çmimeve të barnave. 

Në reagimin e tyre ata thonë se e kundërshtojnë këtë vendim “për shkak të kundërligjshmërisë dhe detyrimit të barnatoreve për ndërmarrjen e veprimeve të kundërligjshme për vendosjen e çmimit të banderolave në produkte e cila sipas neni 11, paragrafi 6 i Ligjit për çmimin e produkteve medicinale ne ndërlidhje me UA për banderola është detyrim i subjekteve tjera dhe jo barnatoreve”.

Sipas Odës së Farmacistëve “MSH një ditë para implementimit të këtij vendimi, ende nuk ka njoftuar asnjë barnatore për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, duke bërë të pamundur implementimin e këtij procesi të përcaktimit të çmimit të barnave të kërkuara nga ana e farmacistëve tash e 20 vite”.

“OFK tash e disa muaj është duke kërkuar këto sqarime nga MSH rreth implementimit të këtij vendimi, të cilët në asnjë raste nuk janë përgjigjur”.

“OFK rikujton zyrtarët publik dhe institucionet të cilët janë urdhëruar për zbatimin e këtij vendimi se zbatimi i një urdhri qeveritar apo të eprori për të cilën ka qenë në dijeni për kundërligjshmërinë është vepër penale, dhe OFK do të njekë të gjitha rrugët ligjore ndaj tyre për konstatimin e kryerjes së veprës penale ashtu siç përcaktohet me nenin 16 të Kodit Penal të Kosovës”, vijon reagimi.

OFK fton hapur Ministrin e Shëndetësisë, që vendimin në fjalë ta nxjerrë në bashkëpunim me komunitetin farmaceutik të cilët janë zbatues të këtij vendim.

Scroll to Top