Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 mars 2025
Ish-ministri i Brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, ka deklaruar se “rënia e partisë” nuk mund të lidhet vetëm me heqjen e tij, por është një pasojë e një serie dështimesh nga lidershipi aktual i partisë.
Veliu ka theksuar se në LDK është vendosur si standard dorëheqja në rast të dështimit zgjedhor dhe, sipas tij, tani është momenti që kjo të ndodhë.
“Në LDK është vendosur një standard, i dorëheqjes në rast se partia në zgjedhje nuk ka sukses. Nuk është e vërtetë që Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti LDK-në në 12 për qind, se po manipulohet edhe me këtë. LDK-në me 12 për qind e ka sjellë Vjosa Osmani edhe Abdixhiku me bërthamën e VV-së që ishte krijuar brenda LDK-së këta janë shkaktarët që LDK-ja ka rënë 12 për qind”, ka deklaruar ai.
Në Debat Plus, përsa i përket liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Veliu ka theksuar se ky i fundit është përgjegjës për disa veprime që kanë çuar në këtë situatë.
Për Veliun, përgjegjësia për dështimin e LDK-së bie mbi Abdixhikun dhe ekipin e tij, duke shtuar se ata kishin të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat më të mirë, përfshirë mjete financiare dhe mbështetje të brendshme, por nuk arritën të realizonin pritshmëritë e krijuara.
“Ata kanë qenë të bindur se do ta marrin vendin e dytë, e kanë thënë publikisht që po luftojnë për të parin. Edhe pse sondazhet i kanë ditur, edhe Abdixhiku sondazhet i ka ditur, edhe nuk i ka publikuar, ia ka fsheh anëtarësisë, kështu që e ka manipuluar anëtarësinë.”, deklaroi Veliu .