Vazhdon mungesa e barnave pas vendimit për unifikim të çmimeve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 mars 2025

Ani pse u mor vendim muaj më parë për unifikimin e çmimit të barnave, prap është krijuar kaos në tregun farmaceutik. E kjo ka bërë që të ketë mungesë të barnave.

Nënkryetari  i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK) Astrit Haxhijaha, ka thënë për Indeksonline se mungesa e barnave konsiderohet cenim i sigurisë kombëtare. Ai thotë se vazhdimisht ka ankesa nga pacientët për mungesë të barnave. Sipas tij si pasojë e situatës së krijuar, pacientët do të detyrohen të dalin jashtë vendit, për t’i siguruar barnat që u nevojiten.

“Gjendja po thellohet dhe më shumë dhe se po bëhet alarmante. Mungesa e barnave konsiderohet cenim i sigurisë kombëtare. Sepse vazhdimisht kemi ankesa nga pacientët, nga profesionistët shëndetësor për mungesë të barnave. Ka mungesë të barnave dhe vazhdimisht ky numër është duke u rritur. Në tregun tonë ka mungesë të 1770 produkteve”, thotë Haxhijaha.  

Ai thotë se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), për unifikimin e çmimit të barnave ka qenë i ngutshëm dhe i gabuar. 

“Vendimi është i ngutshëm,  duke mos i lënë hapësirë barnatoreve që ta shkarkojnës stokun aktual dhe se kjo ke krijuar mosfurnizim dhe nga barnatorët, por nuk ka furnizim as prej depove farmaceutike për barnatorët . Konsiderojmë që ky vendim është i jashtëligjshën dhe jo në përputhje me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thotë Haxhijaha.

Ndërsa thotë se ky vendim po krijon hapësirë për tregun ilegal.

“Zbatimi po tentohet të bëhet në formatin e pjesshëm dhe jo në tërësi. Por është problematike, jo vetëm për barnatorët por dhe për qarkulluesit farmaceutik. Në monentin që ata e harxhojnë stokun, nuk kanë të drejtë të fusin produktin brenda territorit, sepse MSH ka marrë vendim që  në momentin që nuk ke aplikuar në listë, atëherë  pamundësohet që produktin ta fusin brenda. Dhe për këtë krijohet hapësirë tjetër për tregun ilegal dhe do të fillojë të lulëzoj ky treg dhe se kjo do të shihet në të ardhmen”, thotë ai.

Scroll to Top