kanali

Vazhdojnë punimet në rindërtimin e kanalit të Ibër-Lepencit

Në Varagë të Zubin Potokut po vazhdojnë punimet për ta rindërtuar atë që u shkatërrua nga akti terrorist i Serbisë, kanali i Ibër-Lepencit.

Dëmet që shkaktoi shpërthimi i eksplozivit ende nuk janë sanuar plotësisht. Aty po punohet intensivisht që të arrihet një zgjidhje e përhershme.

Pjesa e shtratit të kanalit që u dëmtua rëndë nga sulmi, është këputur tërësisht, në mënyrë që të ndërtohet shtrati i ri. Por për këtë u desh që të krijohet një baypas, i cili i hapi rrugë rindërtimit të shtratit. Nga ajo që shihet në terren, punimet nuk janë afër përfundimit.

Megjithatë, kryeshefi i ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka dhënë një afat kohor kur pritet të finalizohen punimet.

“Punimet do të përfundojnë sa më shpejt që është e mundshme. Besoj që maksimumi brenda dy-tre javëve kanali do të jetë funksional”, ka thënë Mujka.

Ndërkohë që punimet po vazhdojnë, fshati Varagë po sigurohet nga Policia e Kosovës. Institucionet e sigurisë në Kosovë thonë se kanë fakte që përgjegjës për sulmin është Milan Radoiçiq i mbështetur nga Serbia.

Kështu deklaroi dje kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu pas mbledhjes së Komisionit ku raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Scroll to Top