Ushtar i FSK-së akuzohet për përdhunim dhe sulm seksual në Britani të Madhe

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 nentor 2025

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që ndihmon në trajnimin e ushtrisë ukrainase në Britani të Madhe, po përballet me tri akuza për vepra seksuale, përfshirë përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje, raporton BBC.

I akuzuari, Bali Hoxha, 28 vjeç, nga Kampi West Tofts në Thetford, Norfolk, dyshohet se ka kryer sulmin më 17 shtator, rreth orës 23:30, në një shteg midis rrugës Prince of Wales dhe parkut tregtar Riverside.

Hoxha, që ndodhet aktualisht në paraburgim, pritet të dalë para gjykatës më 7 prill, në një proces gjyqësor që do të zgjasë pesë ditë.

Sipas BBC-së, ai është pjesëtar i FSK-së, i kontraktuar përmes Ministrisë britanike të Mbrojtjes për të ndihmuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas në qendrën e stërvitjes pranë Thetfordit.

Gjatë seancës në gjykatë, Hoxha konfirmoi vetëm emrin e tij, ndërsa avokati mbrojtës, Jonathan Goodman, kërkoi që në proces të përfshihet përkthyes në gjuhën shqipe, për shkak të njohurive të kufizuara të të akuzuarit në anglisht.

Në gjykim pritet të marrin pjesë edhe tre dëshmitarë nga FSK-ja, të cilët do të kenë po ashtu nevojë për përkthyes. Gjykata u njoftua se dëshmitarët mund të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e procesit, por FSK-ja do t’i lirojë për të dëshmuar.

Scroll to Top