Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 nentor 2025
Prishtinë – UN Women në Kosovë ka lansuar fushatën vetëdijësuese “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me fokus këtë vit mbi dhunën digjitale. Pjesë e fushatës është edhe këngëtari i njohur Yll Limani, i cili u bëri thirrje të rinjve dhe komunitetit që të luftojnë këtë formë të dhunës.
Ngjarja lansuese u mbajt më 24 nëntor në Prishtina Tech Park dhe u organizua në partneritet me organizatën Engineering HER Future, Policinë e Kosovës, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK).
Gjatë ngjarjes, UN Women dhe Engineering HER Future prezantuan festivalin “Orange Code 16”, që mbledh nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga e gjithë Kosova. Festivali ka për qëllim fuqizimin e të rinjve përmes STEM-it, teknologjisë dhe kreativitetit digjital, duke u mundësuar të krijojnë zgjidhje që rrisin vetëdijen dhe luftojnë dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave.
Në fjalimet e tyre, Vlora Tuzi Nushi, udhëheqëse e UN Women në Kosovë, Stephen O’Malley, Koordinator i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Heargreaves, dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit për të ndalur dhunën ndaj grave dhe vajzave.


Këngëtari Yll Limani theksoi se dhuna digjitale ka pasoja të mëdha dhe nuk duhet të vazhdojë, duke u bërë një zë i fuqishëm sensibilizues për të rinjtë dhe publikun.
Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit” zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke u përqendruar në shkeljet e të drejtave të grave, përfshirë format e reja të dhunës si ajo digjitale.
Ky vit shënon edhe 30-vjetorin e Deklaratës dhe Platformës së Pekinit për Veprim, një nga marrëveshjet më progresive ndërkombëtare për të drejtat e grave, ndërsa fushata UNiTE fokusohet në formatet më të rritura të dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.

















