Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 dhjetor 2025
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, i cili parasheh shpenzime ushtarake rekord prej 901 miliardë dollarësh, pavarësisht disa dispozitave të shtuara nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe kufizojnë mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Ligji, që tejkalon kërkesën fillestare të Trumpit me 8 miliardë dollarë, përfshin edhe Ballkanin Perëndimor, ku Kosova theksohet si një faktor me rëndësi strategjike për stabilitetin rajonal dhe sigurinë evropiane. Dokumenti riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon, duke e përfshirë Kosovën mes gjashtë shteteve kyçe të Ballkanit Perëndimor.
Në ligj nënvizohet se stabiliteti i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me interesat strategjike të SHBA-së dhe sigurinë e Evropës. Po ashtu, Kongresi amerikan riafirmon qëndrimin për dialogun Kosovë–Serbi, duke e cilësuar Marrëveshjen e vitit 2023 si hap pozitiv dhe duke kërkuar zbatim të menjëhershëm të aneksit të saj. Zgjidhja përfundimtare, sipas dokumentit, duhet të bazohet në njohje reciproke, ndërsa kundërshtohet çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
Ligji mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Gjithashtu parashihen masa për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, rritjen e investimeve dhe kundërshtimin e ndikimit rus dhe kinez në rajon, si dhe rritje e ndihmës për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.
Në kuadër të ligjit, parashikohen 800 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, mbështetje për sigurinë e vendeve baltike dhe kufizime për uljen e numrit të trupave amerikane në Evropë nën 76 mijë, duke ruajtur njëkohësisht rolin udhëheqës të SHBA-së në NATO.

















