Tre palë zgjedhje, miliona të djegura: KQZ paralajmëron krizë financiare nëse vendi shkon sërish në votime

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 nenetor 2025

Brenda vetëm një viti, qytetarët u kthyen në “maratonistë të kutive të votimit”, duke u thirrur tri herë në zgjedhje – një proces që i ka kushtuar shtetit miliona.

Vetëm zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kapën koston e rreth 8.7 milionë eurove, nga të cilat 7.9 milionë janë shpenzuar deri më tani, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë, zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe raundi i dytë mbeten ende pa një bilanc final, megjithëse buxheti i planifikuar për to ishte 10.5 milionë euro.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thekson se një tjetër palë zgjedhje – sidomos të parakohshme – do ta vendosnin institucionin përballë një sfide serioze financiare.
“Për zgjedhje të parakohshme nuk ka asnjë cent të planifikuar. Këtë vit kemi pasur vetëm dy procese zgjedhore të parapara, ato të 9 shkurtit dhe ciklin lokal të 12 tetorit e 9 nëntorit,” u shpreh ai për Tëvë1.

Sipas KQZ-së, pjesa më e madhe e parave nuk shkon për pajisje teknike apo materiale, por për pagat e trupave zgjedhore dhe stafit të angazhuar në administrimin e procesit.
Në këtë “trekëndësh zgjedhor”, fatura financiare po rezulton më e rëndë se vetë gara politike.

Scroll to Top