Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 shkurt 2026
Kosova është vlerësuar me 43 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025 të publikuar nga Transparency International, duke shënuar rënie për një pikë krahasuar me vitin 2024. Me këtë rezultat, Kosova renditet e 76-ta nga 182 vende, tri pozita më poshtë se vitin e kaluar.
Vlerësimi më i mirë i Kosovës në këtë indeks ishte në vitin 2024 me 44 pikë, ndërsa më i dobëti në vitet 2013–2015, kur kishte nga 33 pikë. Kosova është pjesë e këtij indeksi që nga viti 2012.
Në rajon, Mali i Zi kryeson me 46 pikë, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 40, Shqipëria me 39, Bosnje e Hercegovina me 34 dhe Serbia me 33 pikë. Shqipëria dhe Serbia kanë shënuar rënie, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë mbetur në të njëjtin nivel.
Transparency International thekson se në Ballkanin Perëndimor problemet kryesore mbeten mungesa e transparencës, përqendrimi i pushtetit, ndikimi politik në gjyqësor dhe presioni ndaj shoqërisë civile, duke dobësuar luftën kundër korrupsionit dhe besimin e publikut.
Në nivel global, mesatarja e indeksit ka rënë në 42 pikë, ndërsa 122 nga 182 vende janë vlerësuar me më pak se 50 pikë. Në krye të listës mbeten Danimarka, Finlanda dhe Singapori, ndërsa në fund renditen Venezuela, Somalia dhe Sudani.

















