Thirrjet raciste në Kumanovë, Osmani: Republika Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 gusht 2025

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar për thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani.

Osmani tha se këto thirrje janë të papranueshme.

“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani .

Ajo theksoi se edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane.

“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”, theksoi Osmani.

E para e shtetit të Kosovës iu bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, theksoi presidentja Vjosa Osmani.

Scroll to Top