Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
11 dhjetor 2025
Dy shtetas sirianë kanë mbetur të lënduar, me dyshimin se plagët janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, në një incident që ndodhi dje në fshatin Koshuticë të Leposaviqit.
Policia e Kosovës njofton se viktima e parë, një mashkull rreth 40 vjeç, u gjet i shtrirë me lëndime në disa pjesë të trupit në oborrin e një shtëpie. Ai fillimisht u dërgua për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri, dhe më pas u transferua në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtejshëm.
Ndërkohë, gjatë patrullimit në të njëjtin fshat, njësiti i SPMK Jarinjë gjeti një person tjetër, një mashkull sirian 27-vjeçar, i cili kishte lëndime në kokë dhe këmbë, që dyshohet se janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Viktima raportoi se pas incidentit, i dyshuari u largua drejt kufirit me Serbinë. Ai u dërgua gjithashtu në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm.
Rasti po hetohet nga autoritetet policore.

















