Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 korrik 2025
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën në Rubikon ka folur edhe për ecurinë e shtetësisë së Kosovës, njohjet e reja dhe mos-anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
Thaçi tha se është shqetësuese që në pesë vitet e fundit, Kosova mori vetëm dy njohje të reja, ndërsa nuk pati asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit. Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për Kosovën”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, rikthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, paraqet mundësi të re dhe të artë për Kosovën, pasi sipas tij, Trumpi është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim.
“Rikthimi i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim mes popujve”.
“Të rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell”, tha Thaçi.

















