Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka theksuar mbështetjen e tij për rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai deklaroi se qëllimi i tij është të sigurojë një raport të drejtë dhe objektiv për progresin e Kosovës.
“Kosova ka ndërmarrë me sukses reforma të rëndësishme drejt anëtarësimit në BE. Jemi këtu për t’i përfshirë të gjitha këto arritje në raport”, ka thënë Terrasi.
“Të gjitha këto informacione do të jenë në shërbim të një shkrimi objektiv të raportit të progresit që do të ndihmonte Kosovën drejt anëtarësimit”.
Terrasi njoftoi se ka zhvilluar takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar edhe për situatën ekonomike në vend.
Ai gjithashtu planifikon të takohet me liderët e opozitës, përfaqësues ekonomikë dhe nga organizatat joqeveritare.
“Kam takuar me Presidenten dhe kryeministrin dhe kemi folur edhe për gjendjen ekonomike, do të takohem edhe me liderët e opozitës. Gjithashtu do të takohem me liderët ekonomikë e organizatat joqeveritare”, ka shtuar ai.
Një ndër qëllimet kryesore të vizitës së tij është edhe vlerësimi i gjendjes në veri të Kosovës, duke përfshirë një vizitë në vendin ku ndodhi sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc.
Terrasi e ka cilësuar si thelbësore që kriminelët përgjegjës për këtë sulm të përballen me drejtësinë.
“Jam i sigurt se të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, por më jepni mundësinë të krijojë një pasqyrë të plotë dhe pastaj vazhdojmë”.
Ndërkaq, sa dialogut Kosovë-Serbi, Terrasi nuk e ka komentuar shumë.
“Ju lutem më jepni mundësi që të takohem me të gjitha palët dhe të marr të gjitha pikëpamjet”, ka thënë ai. /dukagjini