Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
17 mars 2025
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për spiunazh. Qerimi u deklarua fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje.
Deklarimin rreth fajësisë dy të akuzuarit e bënë në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
“Plotësisht jam i pafajshëm”, deklaroi Shabani.
Kurse i akuzuari Qerimi e pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
“Nuk e pranoj për veprën penale të spiunazhit, e për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha ai.
Prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi që pranimi i fajësisë për veprën e “Armëmbajtjes pa leje” t’i aprovohet Qerimit.
“Sepse është në përputhje me dispozitat procedurale pasi që nga fillimi ka pasur mbrojtje dhe mjaftueshëm është konsultu dhe se është në përputhje të plotë edhe me provat materiale”, tha prokurorja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe mbrojtësi i Qerimit, avokati Betim Shala tha se pajtohen me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga Qerimi pasi bazohet në provat materiale në shkresat e lëndës dhe bëhet pas konsultimit paraprak.
Kështu, avokati i propozoi Gjykatës që t’i aprovohet pranimi i fajësisë Qerimit.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se duke qenë se i akuzuari Qerimi i ka kuptuar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, miratohet pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje.
Kurse, për veprën e spiunazhit, ai tha se kanë të drejtë në afat prej 15 ditësh të paraqesin kundërshtimin e provave apo kërkesë hedhje të aktakuzës.
Për të akuzuarin Muharrem Qerimi shpallja e aktgjykimit për armëmbajtje pa leje shtyhet deri në përfundim të çështjes penale.
Seanca e 5 marsit 2025 ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit Shabani për afat shtesë për lexim dhe analizim të aktakuzës në mënyrë që më pas të deklarohet lidhur me fajësinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK-ja thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.
Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse Qerimi akuzohet dhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin (e redaktuar) dhe masakrën e (e redaktuar).